Pas larjes së duarve, ato duhet të thahen me letër duarsh, dhe peshqirët duhet të lahen më shumë

Verifikim faktesh

Lara Drašković
Verifikim faktesh
UNICEF Crna Gora
16 Tetor 2020

Ndërsa jemi në izolim dhe ruajmë distancën fizike nga njerëzit e tjerë, me qëllim që të përpiqemi ta largojmë koronavirusin sa më shpejt që të jetë e mundur nga jeta jonë, dëgjojmë shumë lajme dhe këshilla nga burime jo të besueshme ose pa emër se si ta "mbysim" këtë sëmundje.

Ne, reporterët e rinj të UNICEF-it, hasëm në një artikull të tillë në internet dhe vendosëm ta verifikonim saktësinë e tij. Është një këshillë se si t'i lani duart, si t'i lani peshqirët gjatë pandemisë, dhe ishte publikuar nga portali Antena M.

https://www.antenam.net/koronavirus/153757-rijec-strucnjaka-u-vrijeme-virusa-koliko-cesto-da-peremo-peskirev

Artikulli e citon Elle.rs si burimin e informacionit.

https://www.elle.rs/lifestyle/zdravlje/29052-rec-strucnjaka-u-vreme-vladavine-virusa-koliko-cesto-bi-trebalo-da-peremo-peskire.html

Të dy artikujt fillojnë me fjalinë e mëposhtme:

Epidemiologët thonë se, pasi t'i lajmë duart, duhet të përdorim një letër duarsh për t'i tharë duart dhe vetëm më pas peshqir, nëse ka mbetur ujë në duar.

Në tekst nuk citohen burime të besueshme, por vetëm ekspertë pa emër.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon që një letër njëpërdorimshme duhet të përdoret, nëse është e mundur, për t'i eliminuar bakteret në mënyrë sa më efektive. Ne gjithashtu pyetëm Institutin e Shëndetit Publik të Malit të Zi (IJZ CG) nëse është e vërtetë që, pasi t'i lajmë duart, duhet të përdorim një letër duarsh, dhe vetëm më pas peshqir.

“Nëse i keni tharë duart me letër duarsh, nuk ka nevojë të përdorni peshqir. Një letër duarsh është zgjidhja më e mirë në aspektin epidemiologjik sepse mund të përdoret vetëm një herë. Hidhet pas përdorimit. Pra, një letër duarsh është ideale, por nëse nuk ka letër duarsh, atëherë bëhet i nevojshëm një peshqir i zakonshëm. Sigurisht, pasi t'i përdorni artikujt e caktuar disa herë, shanset janë që ata artikuj, përfshirë peshqirët, të përmbajnë mikroorganizma për të cilët ky është një mjedis i favorshëm, siç është peshqiri – me nivele optimale lagështie dhe temperature, si dhe përbërja e tij – një sipërfaqe e madhe e fibrave nga e cila bëhet peshqiri", thotë Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi në përgjigjen e tij.

Në të njëjtin tekst thuhet: "Në kushte normale, peshqirët duhet të lahen pasi të përdoren tri deri në pesë herë. Andaj, në këto kushte specifike, sigurisht që duhet të zvogëloni përgjysmë numrin e përdorimeve".

Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi përgjigjet si në vijim:

Është e pëlqyeshme t'i lani duart sa më shpesh që të jetë e mundur dhe t'i ndërroni peshqirët, për t'u siguruar që duart e lara dhe të pastra nuk ndoten nga ndonjë gjë që është në peshqir, çfarëdo që të jetë – baktere ose viruse.

Mund të themi se këto pohime janë të sakta.

Sidoqoftë, theksojmë se në këtë tekst nuk janë përdorur burimet e besueshme, siç janë Organizata Botërore e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë ose UNICEF-i. Prandaj, duhet të jemi lexues të kujdesshëm. Dhe, për këtë arsye, reporterët e rinj të UNICEF-it thonë se informacioni duhet të verifikohet përmes burimeve të vlefshme.

Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.