Hudhra, rakia e nxehtë dhe proshuta janë mburoja jonë trupore kundër koronavirusit

Verifikim faktesh

Agron Gojčaj
Verifikim faktesh
Unicef
16 Tetor 2020

Duke pasur informata të bollshme se si mund të trajtohet koronavirusi i ri, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të përqendrohen në dezinformata të ngjashme duke përdorur shembullin e një artikulli të publikuar nga portali rajonal Pink.rs.

Vetë ky artikull bazohet në deklaratat e qytetarëve nga rajoni serb i Shumadijës. Një nga ato pretendime është si vijon:

"Ndoshta mjekët thonë se nuk ndihmon, por hudhra, rakia e nxehtë dhe proshuta kanë qenë gjithmonë mburoja jonë trupore. Kjo është arsyeja pse faqet tona janë rozë, dhe pse jemi kaq të shëndetshëm. Ne nuk kemi frikë nga një virus nga ai vend i largët i Kinës që përfundon në fshatin tonë – rrallë shohim ndonjë mysafir që vjen këtu", thotë Milloradi nga qyteti i vogël Dragacevo, teksa buzëqesh.

Titulli sensacional i këtij artikulli, "TË PËRGATITURA NË SHTËPI DHE MEDICINALE – Hudhra, rakia e nxehtë dhe proshuta janë mburoja jonë trupore kundër koronavirusit" bën që lexuesi të mendojë se ky është fakt dhe se ekspertët e kanë vërtetuar që koronavirusi mund të shërohet duke i përdorur këto ushqime. Vetëm pasi ta lexojmë të gjithë tekstin mund ta kuptojmë se ai bazohet në deklaratat e njerëzve nga Shumadija.

Artikulli, i cili është shpërndarë nga media të tjera rajonale, të tilla si portalet online Pink.rs, Kurir, B92 dhe Alo, nuk ofron mendimin e mjekëve ose të ekspertëve në këtë fushë.

Reporterët e rinj të UNICEF-it konsultuan burimet zyrtare dhe zbuluan si vijon:

  • Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se pirja e alkoolit nuk mund të na mbrojë nga koronavirusi dhe se mund të jetë e rrezikshme. "Konsumimi i shpeshtë ose i tepërt i alkoolit mund të rrisë rrezikun e problemeve shëndetësore", thuhet në uebfaqen e OBSH-së.
  • OBSH-ja gjithashtu thotë se hudhra është ushqim i shëndetshëm që mund të ketë disa veti antimikrobike. Sidoqoftë, nuk ka asnjë dëshmi që konsumimi i kësaj perime mund t'i mbrojë njerëzit nga koronavirusi i ri.

Mediat në rajon raportuan se disa ilaçe të pretenduara të koronavirusit mund të ishin fatale dhe se në fillim të marsit të paktën 44 njerëz vdiqën nga helmimi me alkool në Iran, ndërsa gati 300 u pranuan në spital pasi besuan se pirja e pijeve alkoolike mund të ndalonte sëmundjen.

Për shkak të një numri të madh dezinformatash në lidhje me ilaçet e pretenduara të koronavirusit, OBSH-ja ka njoftuar se spërkatja e lëkurës me alkool dhe klor nuk ndihmon nëse viruset tashmë kanë hyrë në trup, duke deklaruar se klori, zbardhuesi, etanoli dhe produktet me bazë kloroformi nuk duhet të aplikohen në lëkurë.

Më shumë informacion mbi mitet e koronavirusit mund të gjenden në uebfaqen e OBSH-së: https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019/advice-for-public/myth-busters

Vullnetarët - reporterë e rinj të UNICEF-it po u kërkojnë qytetarëve të Malit të Zi të verifikojnë informacionin për saktësinë e të cilit nuk janë të sigurt dhe të shmangin përdorimin e "barnave dhe ilaçeve" që nuk janë rekomanduar nga profesionistët.

Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.