Le të zgjedhim se çfarë shikojmë, lexojmë dhe dëgjojmë

Me rastin e Javës Globale të Edukimit mbi Median dhe Informacionin, reporterët e rinj të UNICEF-it po u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të zgjedhin atë që shikojnë

30 Tetor 2022
Roditelji i mediji
UNICEF Mali i Zi/Dusko Miljanic

PODGORICË, 30 tetor 2022 – Media nuk është as e mirë as e keqe dhe ndikimi i saj varet nga mënyra se si e përdorim atë. Pra, le të zgjedhim atë që e shikojmë, lexojmë dhe dëgjojmë – ky është mesazhi i reporterëve të rinj të UNICEF-it në fund të Javës Globale të edukimit mbi Median dhe Informacionin, e cila festohet në mbarë botën nga 24 deri më 31 tetor.

“Jo çdo përmbajtje që na ofrohet është e denjë për vëmendje,” tha Miljana Stankovic, një reportere e re e UNICEF-it.

Për Anel Memic, një reportere e re e UNICEF-it, edukimi mediatik është thelbësor për çdo fëmijë. “Pa edukimin mediatik, mbetemi në mëshirën e atyre që e kontrollojnë median, por me të, kontrolli është në duart tona,” tha Memic.

Nëpërmjet një videoje në TikTok, reporterët e rinj të UNICEF-it mundësuan që zërat e të rinjve malazezë të dëgjohen për këtë temë gjatë Javës Globale të Edukimit mbi Median dhe Informacionin. Materialet në video gjenden në linqet e mëposhtme: link 1 dhe link 2.

Të dhënat nga hulumtimi i kryer nga Ipsos me mbështetjen e UNICEF-it dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2021 tregojnë rëndësinë e edukimit mediatik në jetën e shekullit të 21-të. Përkatësisht, një në tre qytetarë të Malit të Zi beson në teori konspirative dhe dezinformata për koronavirusin, ndërsa një në pesë beson në teori konspirative dhe dezinformata rreth vaksinave. Pasojë e ndikimit të një besimi të tillë në dezinformata dhe teoritë e konspiracionit mund të jetë sjellja që vë në rrezik jetën personale dhe jetën e të tjerëve. Shtatë nga dhjetë qytetarë të Malit të Zi e pranojnë edukimin mediatik si mënyrën më efektive për të luftuar dezinformimin.

Edukimi mediatik zhvillohet gjatë gjithë jetës së njeriut dhe ky proces duhet të fillojë që në fëmijërinë e hershme. Pavarësisht se si mund të ndihen prindërit (jo)kompetentë për teknologjitë e reja, bisedat e rregullta me fëmijët për të gjithë përmbajtjen e medias i ndihmojnë ata të zhvillojnë kriteret e cilësisë me të cilat ata e zgjedhin përmbajtjen mediatike që e shikojnë. Gjithashtu, këto biseda i ndihmojnë ata të mësojnë të analizojnë vazhdimisht në mënyrë kritike, të pyesin veten se kush i ka bërë përmbajtjet mediatike të caktuara, për kë, në çfarë mënyre dhe për çfarë qëllimi. Prindërit mund të kontrollojnë saktësinë e informacionit me fëmijët e tyre duke krahasuar atë që thonë burime të ndryshme për një temë të caktuar, duke përfshirë ekspertët dhe institucionet përkatëse në Mal të Zi dhe në mbarë botën.

Në dhjetor 2021, vetëm një në dy prindër në Mal të Zi raportuan se kishin folur me fëmijët e tyre për përmbajtjen mediatike që e shikonin dhe kufizuan zgjedhjen e përmbajtjes mediatike dhe kohën që kalojnë çdo ditë përpara ekranit.

Kontakte me mediat

Jelena Perović
Communication Officer
UNICEF Montenegro
Tel: +382 69 225 315

Me rastin e Javës Globale të Edukimit mbi Median dhe Informacionin, reporterët e rinj të UNICEF-it po u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të zgjedhin atë që shikojnë, lexojnë dhe dëgjojnë dhe ftojnë prindërit të flasin me fëmijët e tyre për këtë rregullisht.