Masha me platformën digionica mëson më lehtë
Maša je jedna od hiljade đaka koji koriste Digionicu, prvu nacionalnu platformu za digitalno učenje
- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Tivat, 26 dhjetor 2023 - Nxënësja Masha Malishiq (9), e cila ndjek shkollën fillore “Drago Miloviq” në Tivat, ishte e sëmurë dhe nuk kishte ndjekur orët mësimore për dy javë, por mungesa e saj nuk u ndje kur u kthye. Përveç asaj që shokët i dërgonin materialet që i kishin shtjelluar në shkollë, ajo në mënyrë të pavarur mësoi në shtëpi në platformën online Digionica.
Masha është njëra prej mijëra nxënësve të kësaj shkolle që përdorin Digionica, platformën e parë kombëtare për mësim digjital. Ajo thotë se kjo e inkurajon të mësojë me më shumë interes. Përndryshe, ky institucion arsimor, ka më së shumti përdorues të platformës në Mal të Zi.
Digionica, e destinuar për të gjithë fëmijët në kopshte, shkolla fillore dhe të mesme, është e bazuar në konceptin e Platformës Learning Passport, të zhvilluar nga UNICEF, Microsoft dhe Universiteti i Kembrixhit.
Nxënësit kanë në dispozicion përmbajtjet nga arsimi formal dhe joformal. Aty ka mësime, ushtrime dhe teste, simulime të eksperimenteve shkencore, tekste mësimore audio-vizuale, kurse të ndryshme...
Digionica më ndihmon me mësime. Unë e përcjellë orën mësimore dhe marr informacione dhe ide se si të bëj detyrat e shtëpisë në një lëndë. Testet, kuizet dhe kontrollet e njohurive janë më interesantet për mua.
Nëna e Mashës, Dragana Malishiq, e sheh platformën si një ndihmë të madhe për familjen. Është e dobishme, thotë ajo, që ka edhe një seksion për prindërit, pasi i ndihmon ata të përballen me sfidat moderne.
Ka këshilla dhe udhëzime se si, për shembull, të trajtojmë bullizmin kibernetik. Ka edhe udhëzime për grupmosha të caktuara të fëmijëve se si duhet ta kalojnë kohën e tyre në internet.
Masha për Digionicën dëgjoi nga mësuesja e saj Veronika Vranesh, e cila shpjegon se edhe mësuesit e përdorin platformën. Në punën e saj, ajo përdor mësime audio dhe video dhe një numër të madh ushtrimesh, të cilat janë një shtesë e mirë për të mësuarit në shkollë. Mësuesja shton se platforma nuk mund të zëvendësojë mësimin e rregullt dhe se nuk ishte krijuar për një gjë të tillë.
“Unë do ta rekomandoja atë kolegëve. Ndonjëherë mësuesit nuk mund të gjejnë përmbajtje për të përpunuar ose përcaktuar një temë dhe, nëse kanë ide se si të krijojnë një kurs shtesë ose kanë materialet e tyre, ata mund t'ia dërgojnë atë personit përgjegjës për platformën”, theksoi mësuesja Vranesh.
Për drejtoreshën e shkollës, Slavka Mirkoviq, është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në procesin edukativë-arsimor të kenë qasje në burime dhe njohuri moderne. Platformën Digionica në mënyrë aktive e përdorin që nga shkurti.
Ftoj të gjitha shkollat që të përdorin në mënyrë aktive shërbimet digjitale. Me përpjekje të përbashkëta mund të krijojmë një mjedis që inkurajon inovacionin, bashkëpunimin dhe suksesin. Për më tepër rrjetet digjitale na e kanë lehtësuar komunikimin dhe përmirësuar cilësinë e punës, pasi po përballemi edhe me mungesë të hapësirës.
Digionica në nivel të Malit të Zi ka mbi 32,000 përdorues dhe është e integruar në Shkollën Digjitale - një sistem për punë, mësim, mësimdhënie dhe bashkëpunim në një mjedis digjital. Shërbimet zhvillohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me zyrën përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi.
“Është planifikuar që kyçja në internet të bëhet në të gjitha institucionet edukative-arsimore, në çdo institucion rajonal. Qëllimi është që institucionet edukative-arsimore të kenë të gjitha kushtet për të përdorur teknologjinë për punë dhe mësim”, tha shefja e Departamentit të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese të Ministrisë, Marina Matijeviq.
Konsulenti për zhvillim dhe përmirësim të platformës për mësim digjital në UNICEF, Dragutin Shqekiq, thotë se UNICEF do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive reformat sistematike në fushën e digjitalizimit të sistemit arsimor, siç janë zhvillimi i ekosistemeve digjitale në nivel shkolle, trajnimi i mësuesve, parandalimi i dhunës digjitale dhe hartimi i përmbajtjes cilësore dhe gjithëpërfshirëse që synon zhvillimin e STEM dhe shkathtësive digjitale.