Përfshirja për Andriw dhe Alenairam: Të pranuar në Risan

Një familje që kërkon azil në Mal të Zi po merr mbështetje për ta ushtruar të drejtën për arsimim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe të fëmijëve dhe integrim në shoqëri

Milica Bogdanović
Inkluzija
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022
21 Mars 2022

Podgoricë, 21 mars 2022 – Andriw dhe Alenairam Lizondo u shpërngulën në Risan tre vjet më parë. Prindërit e tyre, nga Ekuadori dhe Venezuela, donin që fëmijët e tyre të kishin një fëmijëri më të sigurt, larg jostabilitetit dhe dhunës. Për këtë arsye, ata u larguan nga vendet në të cilat kishin lindur dhe u nisën për në Evropë. Edhe pse ky nuk ishte plani i tyre fillestar, ata u vendosën në Mal të Zi, ku tani po kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Në pritje të zgjidhjes së statusit të tyre, prindërit po punojnë dhe fëmijët po shkojnë në shkollë. Ata luajnë në piano dhe flaut dhe shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre. Falë mbështetjes së Kryqit të Kuq dhe UNICEF-it, ata kohët e fundit kanë pranuar ndihmë mentoruese për ta mësuar gjuhën dhe për ta zotëruar më shpejt materialin që u mësohet në shkollë.

“Ne kemi katër fëmijë. Më të mëdhenjtë janë në klasën e tretë, dhe binjakët janë në klasë të parë. Ne prindërit nuk e dimë gjuhën, ndaj na ka ndihmuar shumë që një pedagoge e Kryqit të Kuq vinte disa herë në javë për t'i ndihmuar dhe për të studiuar me ta," thotë Alejanda Lizondo, nëna e fëmijëve.

Nëpërmjet këtij programi mbështetës, fëmijëve dhe familjeve të migrantëve dhe azilkërkuesve u është ofruar qasje më e mirë në të drejtat shëndetësore, sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve, në veshje dhe mjete shkollore.

“Ne mund të shkojmë te mjeku nëse kemi nevojë. Shkuam edhe te një ortoped për fëmijë në Risan. Ne kemi një psikolog dhe një pedagog në shkollë, por fëmijët nuk kanë pasur nevojë për shërbimet e tyre. Ne mund t'i drejtohemi Kryqit të Kuq për gjithçka që na nevojitet dhe jemi të lumtur për këtë.” 

Alejanda Lizondo, nëna e fëmijëve
Djeca iz Ekvadora
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022
Familja Lizondo u shpërngulën në Risan tre vjet më parë

Gjatë kohës kur nuk merrnin ndihmë profesionale, fqinjët e tyre nga Risani i ndihmonin fëmijët në mësimnxënien e tyre. Ky, thotë ajo, është treguesi më i mirë se ata janë pranuar nga komuniteti në të cilin kanë ardhur.

“Fëmijët ndihen të pranuar këtu. Ata janë adaptuar shpejt. Ata kanë rezultate të mira në shkollë. Gjithçka është më mirë këtu se në vendin tonë. Jashtë është qetë, fëmijët shkojnë vetë në shkollë, dhe kthehen vetë nga shkolla....”

“Dhe nuk dëgjon kurrë zhurmë,” shton Andriw rrjedhshëm në gjuhën malazeze.

Megjithëse gjuha është pengesa më e madhe për prindërit dhe fëmijët më të vegjël, Andriw kënaqet me rolin e tij si përkthyes i tyre.

“Unë studioj shumë dhe kam shumë miq në klasën time. Unë e shijoj kohën time në shkollë. Tani po mësojmë shumëzim dhe pjesëtim dhe mësuesja është më e mira”.

Mësimdhënësja Adrijana Krcunoviq nga shkolla fillore “Veljko Drobnjakoviq” në Risan thotë se fillimi ishte i vështirë për shkak të pengesës gjuhësore, por fëmijët janë integruar me sukses përmes aktiviteteve të shumta jashtë-kurrikulare dhe kohës së kaluar me bashkëmoshatarët e tyre.

Uciteljica
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022
Adrijana Krcunoviq, mësimdhënëse

“Ata ndihen të sigurt dhe rehat dhe janë të lirë të më pyesin çfarë të duan. Prindërit e tyre gjithashtu mund të më telefonojnë sa herë që ndiejnë nevojën, por fëmijët ende kanë nevojë për dikë që të punojë me ta në mënyrë shtesë dhe t'i ndihmojë në procesin e mësimnxënies të paktën tre herë në javë.”

Adrijana Krcunović, mësimdhënëse

Përveç familjes prej gjashtë anëtarësh në Risan, ky program mbështetjeje dhe ndihme përfshin edhe familje të tjera të emigrantëve dhe azilkërkuesve në Mal të Zi.

Nevena Bozovic nga organizata komunale e Kryqit të Kuq në Tivat thotë se kjo lloj ndihme dhe mbështetje nevojitet në vazhdimësi në mënyrë që migrantët dhe azilkërkuesit të mund t'i ushtrojnë të drejtat e tyre, të përfshihen në shoqëri dhe të marrin pjesë në aktivitete shoqërore.

Crveni krst
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022
Nevena Božović nga organizata komunale e Kryqit të Kuq në Tivat

“Fëmijët kanë treguar vullnet dhe motivim të madh për ta mësuar dhe zotëruar gjuhën, dhe mënyra se si reagojnë kur ne u ofrojmë ndihmë dhe mbështetje flet më së miri për atë se sa shumë kishin nevojë për të.” 

Nevena Božović, Kryqi i Kuq, Tivat

Që nga fillimi i krizës me emigrantë, UNICEF-i dhe partnerët e tij kanë mbështetur aktivitete të ndryshme që ofrojnë mbrojtje më të mirë, qasje në shërbime dhe integrim në shoqëri për fëmijët dhe familjet që vijnë në Mal të Zi. Nëpërmjet përpjekjeve të forcuara institucionale, këto familje po ushtrojnë të drejtën e shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, arsimimit, punësimit, dhe po marrin mbrojtje ndaj të gjitha format e dhunës.

Djeca sviraju
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić/2022

“Ne duam ta zgjidhim statusin tonë ligjor, të qëndrojmë këtu dhe t'i bëjmë fëmijët të vazhdojnë shkollimin e tyre”, thotë familja Lizondo.