Lufta kundër varfërisë fillon me arsim cilësor

Pyetja e reporterëve të rinj të UNICEF-it është: Si të zvogëlohet varfëria tek fëmijët në Mal të Zi?

UNICEF Mali i Zi
Pyetja e reporterëve të rinj të UNICEF-it është
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020
20 Dhjetor 2020

PODGORICË, 20 DHJETOR 2020 – Si të zvogëlohet varfëria tek fëmijët në Mal të Zi? - është pyetja që javën e kaluar reporterët e rinj të UNICEF-it ia parashtruan përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe sektorit civil në mënyrë që të inkurajojnë mbështetje më të madhe për fëmijët e prekur nga varfëria.

Të gjithë bashkëbiseduesit theksuan kryesisht rëndësinë e arsimit cilësor në thyerjen e ciklit vicioz të varfërisë që kalon nga brezi në brez.

UNICEF në Mal të Zi

Kur themi arsimi dhe përmirësimi i arsimit, e kem fjalën, para së gjithash, që të gjithë fëmijët në Mal të Zi duhet të kenë ushqime nëpër shkolla pa pagesë, tekste shkollore pa pagesë dhe gjithashtu aktivitete shtesë jashtëshkollore pa pagesë.

Tanja Qiroviq, Shoqata e Prindërve

Sipas një ankete të UNICEF-it të tetorit të vitit 2018, shumica e fëmijëve dhe të rinjve në Mal të Zi të moshës 9–17 vjeç nuk kanë vijuar asnjë ngjarje kulturore ose sportive gjatë vitit të kaluar, gjë që tregon nevojën për të ofruar aktivitete jashtëshkollore pa pagesë për të gjithë fëmijët në mbarë vendin.

Mendoj se duhet t'i dërgojmë fëmijët në shkollë, ashtu që kur të rriten të jenë në gjendje të kenë më shumë mundësi për të punuar për vetveten. Dhe mbase kur të kenë familjet e tyre ata do të jenë në gjendje t'i mbështesin fëmijët e tyre. Pra, duhet të sigurohemi që t'i heqim pengesat që fëmijët të shkojnë në shkollë.

Karen Maddocks, Ambasadorja Britanike në Malin e Zi
UNICEF në Mal të Zi

Shejlla Pepiq, Koordinatore Kombëtare e Qendrës për Iniciativa Rome, përmendi në veçanti problemin e martesave të fëmijëve në komunitetin Rom si një pengesë kryesore për arsimimin e vajzave, punësimin e tyre dhe rimëkëmbjen nga varfëria.

UNICEF në Mal të Zi

Duhet  të ndryshojmë mentalitetin e vetë komunitetit, që martesat me shkuesi të fëmijëve nuk përbëjnë zakone dhe traditë, dhe se vajzat duhet të arsimohen dhe të përfshihen në shoqëri. Qendra për Iniciativat Rome ka raportuar çdo martesë me shkuesi të dyshuar tek autoritetet shtetërore që nga viti 2011 në mënyrë që t'i parandalojmë ato, por ne, si organizatë joqeveritare, nuk mund të bëjmë gjithçka të vetëm, kemi nevojë për ndihmën e institucioneve shtetërore.

Shejlla Pepiq, Koordinatore Kombëtare e Qendrës për Iniciativa Rome

Kriza e shkaktuar nga virusi korona ka nxjerrë në pah disa pengesa të tjera për arsim cilësor që duhen kapërcyer për të ulur varfërinë në Mal të Zi. Konkretisht, sipas një studimi të fundit të KB të kryer në Mal të Zi, 16 përqind e familjeve me fëmijë nën moshën 18 vjeç nuk kanë qasje në kompjuter ose laptop me qasje në internet. Kjo ndasi digjitale i referohet jo vetëm qasjes së pabarabartë në teknologji të reja, por edhe ndryshimeve në zotërimin e aftësive që mundësojnë përdorimin adekuat të tyre. Hulumtimi i UNICEF-it mbi këtë temë me fëmijë, prindër dhe mësimdhënës të realizuar gjatë viteve të fundit tregon se mësimdhënësit janë më të edukuar në përdorimin e mediave sesa prindërit dhe fëmijët. Sidoqoftë, tek të gjithë ata - fëmijë, prindër dhe mësimdhënës - vërehet se aftësitë e tyre krijuese janë më pak të zhvilluara, d.m.th. krijimi i përmbajtjes së re mediale praktikohet më pak, dhe është pikërisht ajo që kërkon një nivel më të lartë të njohurive dhe aftësive. Mësimdhënësit në shkollë më shpesh përdorin internetin për të kontrolluar informacione. Këto të dhëna tregojnë për nevojën e trajnimit të mësimdhënësve në mënyrë që ata të mund të përdorin mediat në mënyrë më efektive në mësimdhënie dhe kësisoj t'ua zhvillojnë nxënësve njohuritë digjitale dhe mediatike, për të cilat do të kenë nevojë në tregun e punës së shekullit 21.