Linja SOS: Sanela u përgjigjet fëmijëve 24/7

Në Mal të Zi, një psikologe nga linja telefonike kombëtare SOS për fëmijë dhe të rinj po ofron këshillim dhe ndihmë profesionale për fëmijët dhe të rinjtë

Milica Bogdanović
Sanela Josipović
UNICEF në Mali të Zi / Dusko Miljanic / 2021
21 Gusht 2021

Podgoricë, 3 Gusht 2021 - “Përshëndetje. Kjo është linja telefonike për fëmijët. Si mund t'ju ndihmoj?" përgjigjet psikologja Sanela Josipovic në një zë të butë, kur pranohen thirrje në linjën telefonike kombëtare SOS për fëmijët dhe të rinjtë.

Sanela drejton shërbimin telefonik, i cili u lansua si një nga shërbimet brenda Shtëpisë së Fëmijëve “Mladost” në Bijela. Së bashku me kolegët e saj, ajo ofron këshilla dhe ndihmë të specializuar për fëmijët dhe të rinjtë nëse ata kanë nevojë për informacione të rëndësishme, kanë një dilemë ose përballen me ndonjë problem që duket i pazgjidhshëm.

Sanela Josipović
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2021
Psikologja Sanela Josipovic shpjegon se linja telefonike SOS është anonime dhe se të rinjtë mund të jenë të sigurt se biseda e tyre do të mbetet mes tyre dhe këshilluesve, në Bijela, në gusht 2021.

Thirrjet në linjën telefonike SOS janë anonime dhe përmbajtja e bisedës mbetet vetëm mes meje dhe personit që telefonon në numrin tonë - 116 111. Temat për të cilat telefonuesit tanë duan të flasin janë të ndryshme - nga marrëdhëniet me bashkëmoshatarët dhe partnerët, problemet në familje dhe shkollë, e deri tek çështjet e seksualitetit dhe varësisë.

Psikologia Sanela Josipovic

Linja telefonike është falas dhe e disponueshme 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Stafi i trajnuar punon në linjën telefonike SOS në tre ndërrime dhe ata dëgjojnë gjithçka: heshtje të personit tjetër, shaka, fjalë të këqija. Fëmijët shpesh testojnë se si funksionon linja dhe telefonojnë disa herë para se të besojnë tek këshilltarët. Ata kontrollojnë vërtetësinë e asaj që themi dhe nëse vërtet mund të flasin në mënyrë anonime për çfarë të duan, pa u pritur me habi, dënim, tallje apo kritikë.

Psikologja Sanela Josipovic

Ekspertët theksojnë se problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe të rinjtë janë në rritje, dhe kjo do të thotë se shërbime të tilla mbështetëse janë të nevojshme tani, më shumë se kurrë. Këto probleme variojnë nga çrregullimet emocionale dhe të sjelljes, deri te vështirësitë në funksionimin kognitiv dhe ruajtjen e marrëdhënieve shoqërore. Gjithashtu, Vlerësimi i Shpejtë i Ndikimit Social i Kombeve të Bashkuara për shpërthimin e COVID-19 në Mal të Zi nga Prilli 2020 identifikoi se të rinjtë e konsiderojnë arsimin (51%), shërbimet shëndetësore (47%) dhe mbështetjen psikologjike/mbështetjen e shëndetit mendor (31%) si shërbimet publike më së shumti të nevojshme.

Përmes punës së saj me linjën telefonike SOS, Sanela është njoftuar më mirë me problemet me të cilat përballen fëmijët duke u rritur, dhe kupton pse disponueshmëria e mbështetjes këshilluese është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Fëmijët e marrin me seriozitet këshillimin. Pavarësisht se sa përvojë profesionale keni në punën me fëmijët, mund të habiteni kur të dëgjoni ato që ata ju thonë. Ne mësojmë diçka të re nga çdo bisedë me ta.

Psikologja Sanela Josipovic
Sanela Josipović
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2021
Psikologja Sanela Josipovic shpjegon sesi përmes punës së saj me linjën telefonike SOS, ajo është njoftuar më mirë me problemet me të cilat përballen fëmijët duke u rritur dhe kupton pse disponueshmëria e mbështetjes këshilluese është jashtëzakonisht e rëndësishme, në Bijela, gusht 2021.

Zyrtarja e UNICEF-it për Mbrojtjen e Fëmijëve Nada Gjurovic Martinovic beson se linja telefonike dhe shërbimet e tjera këshilluese janë veçanërisht të rëndësishme në kohë pasigurie dhe në situata krize. Për fëmijët dhe të rinjtë, të panjohurat dhe dilemat e krijuara nga pandemia COVID-19 kanë shtuar problemet ekzistenciale dhe emocionale që ata do të përjetonin zakonisht në periudhën e ndjeshme të rritjes.

Linja telefonike SOS luan rol të rëndësishëm në fuqizimin e fëmijëve, ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe parandalimin e problemeve duke ofruar këshillim dhe informacione.

Nada Gjurovic-Martinovic, Zyrtare e UNICEF-it për Mbrojtjen e Fëmijëve

116 111 është numër universal telefoni i krijuar për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë në mbarë Evropën. Çdo vit, më shumë se 20 milionë fëmijë kërkojnë ndihmë përmes kësaj linje telefonike, dhe Mali i Zi është njëri nga 139 vendet që ofrojnë këtë formë të ndihmës për fëmijët dhe të rinjtë. Shtëpia e Fëmijëve “Mladost” në Bijela është institucioni i vetëm në Mal të Zi që është i licencuar për të ofruar shërbim telefonik SOS.

Projekti i linjës telefonike SOS është pjesë e Programit Rajonal për Zbutjen e Ndikimit të Pandemisë COVID-19 në Jetën e Fëmijëve dhe Prindërve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, dhe i njëjti mbështetet financiarisht nga ana e Bashkimit Evropian. Përmes këtij programi, UNICEF-i do të vazhdojë të forcojë sistemet kombëtare për të siguruar vazhdimësinë në ofrimin e shërbimeve kyçe sociale dhe shëndetësore për fëmijët në shërimin e menjëhershëm dhe afatgjatë nga pandemia COVID-19.