Edukimi parashkollor - kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë

Prindërit romë kanë marrë mbështetje në mënyrë që zhvillimi i fëmijëve të tyre të inkurajohet

Duška Pejović
Matej Tafa
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020
18 Dhjetor 2020

HERCEG NOVI, 18 DHJETOR 2020 - Për shkak të krizës së shkaktuar nga virusi korona, gjë që ka çuar në mbylljen e kopshteve për një periudhë të gjatë kohore, fëmijët romë dhe egjiptianë kanë hasur në rrezik të shtuar që ta ndërprejnë vijimin ose të mos regjistrohen fare në kopshtet e fëmijëve. Me këtë rast, UNICEF-i organizoi një program të veçantë edukativ për prindërit e fëmijëve Romë dhe Egjiptianë, për ta vënë në dukje rëndësinë e arsimit të hershëm, por edhe për t'i mbështetur ata që të përballen sa më lehtë me sfidat shtesë të prindërimit që situata e re ua imponon.

Në vend të punëtorive të mëparshme për prindërit që organizoheshin në kopshte, këtë vit, prindërit, për herë të parë, morën materiale edukative në formë të broshurave në gjuhën malazeze dhe atë shqipe, ku, më pas, profesionistët nga Qendra Pedagogjike mbajtën seanca telefonike me secilin prind individualisht. Përmes seancave individuale, prindërit romë morën këshilla se si ata, si prindër, mund t'i mbështesin dhe motivojnë fëmijët e tyre në shtëpi, përderisa institucionet parashkollore ishin të mbyllura.

Ermina Tafa, nëna e Matejit 5-vjeçar, i cili aktualisht nuk po shkon në kopsht për shkak të pandemisë, thotë se seancat individuale ishin shumë të dobishme dhe e kanë ndihmuar atë të përballet me rrezikun e infektimit me koronavirus. Ajo është posaçërisht e kënaqur pasi ndihet më e motivuar për ta mbështetur shkuarjen e fëmijës së saj në kopsht, por edhe për t'i ofruar atij gjithë mbështetjen e nevojshme në shtëpi.

Ermina Tafa
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020
Ermina Tafa, nëna e Matejit 5-vjeçar shpjegon se si punëtoritë e inkurajuan atë për ta mbështetur shkuarjen e fëmijës së saj në kopsht, por edhe për t'i ofruar atij të gjithë mbështetjen e nevojshme në shtëpi, në Herceg Novi, në dhjetor të vitit 2020.

Mësova se fëmijët duhet të shkojnë në kopsht, të fitojnë njohuri të reja, të shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre dhe të kalojnë kohë cilësore atje, në mënyrë që të integrohen më lehtë në shoqëri para se ata të shkojnë në shkollë. Kuptova që fëmijët duhet të kenë liri, të mos kenë frikë nga diskriminimi apo të ndahen nga bashkëmoshatarët e tyre, si dhe të sillen si çdo fëmijë tjetër, pavarësisht nga dallimi në prejardhjen tonë kombëtare ose fetare.

Ermina Tafa, nëna e Matejit 5-vjeçar

Ajo shton se broshurat i kanë ndihmuar ta kalojnë kohën më mirë kur ishin në shtëpi.

Ka shumë lojëra në materiale, fëmijëve u pëlqejnë ato dhe përkushtohen shumë ndaj tyre. Edhe pse kam shumë gjëra për të bërë, kam gjetur kohë që të luajmë së bashku në shtëpi. Në këtë mënyrë ne po krijojmë lidhje më të fortë, fëmijët po sillen në mënyrë më të relaksuar dhe po largohen nga telefoni dhe interneti, gjë që është shumë e dobishme.

Ermina Tafa, nëna e Matejit 5-vjeçar

Mateji lozonjar, i cili nuk kishte kohë ta ndalte lojën, na tregoi se ai kishte mësuar t'i lante duart rregullisht kur shkonte në kopsht ose kur kthehej në shtëpi dhe se ai kishte shumë miq.

Më pëlqen kopshti sepse aty e kaloj kohën dhe ne luajmë gjithë kohën. Aty i kam miqtë e mi më të mirë, Andrejin dhe Amarin, dhe ne luajmë Ludo (lojë tavoline), ose lojën për kapje të topit, apo lojëra të tjera të ndryshme. Jam shumë i gëzuar sepse rezultati im i lumturisë në kopsht është A+!

Matej Tafa, 5 vjeçar
Petogodišnji Matej Tafa
UNICEF në Mali të Zi / Dusko Miljanic / 2020
Matej Tafa, 5-vjeçar, tregon se sa shumë e do kopshtin, në Herceg Novi, në dhjetor të vitit 2020.

Koordinatori i programit, Millosh Bullatoviq, tregon se arritjet e këtij programi janë të dukshme në disa nivele sepse, gjatë këtyre kohërave sfiduese, si prindërit ashtu edhe fëmijët kanë marrë mbështetje të profesionistëve që kanë përvojë të gjerë në punën me ta.

Koordinatori i programit, Millosh Bullatoviq
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020
Millosh Bullatoviq, koordinatori i programit, tregon cilësinë e mbështetjes që e kanë marrë si prindërit ashtu edhe fëmijët nga profesionistët që punojnë me ta, në Herceg Novi, në dhjetor 2020

Përmes diskutimeve këshilluese për tema të paracaktuara, familjet kanë patur mundësinë, në kontekstin e ri, të marrin informacione të reja për stimulimin e fëmijëve në moshë të re, si dhe të fuqizohen dhe mbështeten në regjistrimin ose vazhdimin e dërgimit të fëmijëve në institucionet parashkollore. Natyrisht, të gjitha në përputhje me situatën aktuale epidemiologjike.

Millosh Bullatoviq, koordinatori i programit

Përmes programit të modifikuar të UNICEF-it, ndërmjetësuesit tani po luajnë një rol më aktiv se më parë, dhe ata kanë marrë disa informacione shtesë nga psikologët në lidhje me rëndësinë e zhvillimit në fëmijërinë e hershme, të cilat ata mund të vazhdojnë t'i ndajnë me prindërit romë.

Bashkëpunëtorja e përfshirjes sociale Sanja Knezheviq është e vetëdijshme për rëndësinë e kontakteve personale me familjet Rome, të cilat, siç thotë ajo, nuk mund të zëvendësohen me asnjë lloj komunikimi tjetër. Ajo beson se programi i UNICEF-it është i dizajnuar mirë dhe se rezultatet janë të dukshme.

Prindërit e kanë kuptuar që regjistrimi i një fëmije 7-vjeçar në shkollë është joefektiv, përveç nëse mendja e tij ose saj është zhvilluar më parë në kopsht. Prindërit janë ndërgjegjësuar se arsimi i hershëm ndikon në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve, të cilët arrijnë rezultate më të mira në klasën e parë krahasuar me ata fëmijë që nuk kanë shkuar në kopsht. Në të njëjtën kohë, siç thonë edhe ata vetë, nënat kanë më shumë kohë për të bërë punët e tyre të shtëpisë dhe më pas t'i përkushtohen fëmijës kur ai ose ajo të vijë në shtëpi nga kopshti.

Sanja Knezheviq, bashkëpunëtore e përfshirjes sociale
Sanja Knezheviq, bashkëpunëtore e përfshirjes sociale
UNICEF në Mali të Zi / Dusko Miljanic / 2020
Sanja Knezheviq, Bashkëpunëtore e Përfshirjes Sociale, shpjegon se si prindërit ndërgjegjësohen përmes punëtorive që arsimi i hershëm ndikon në zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve, në Herceg Novi, në dhjetor 2020.

Zyrtarja e  UNICEF-it për Arsim Ivana Cekoviq kujton se çdo fëmije duhet t'i sigurohet qasje në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, pavarësisht se ku jeton.

Ivana Ceković
UNICEF në Mali të Zi
Zyrtarja e UNICEF-it për Arsim Ivana Cekoviq kujton se çdo fëmije duhet t'i sigurohet qasje në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, pavarësisht se ku jeton.

Rëndësia e arsimit parashkollor dhe edukimit është më e madhe për fëmijët nga grupe të cenueshme, duke pasur parasysh se kështu kompensohet mungesa e mbështetjes dhe mundësive për të mësuar në fëmijërinë e hershme. Gjatë kohës kur vijimi i kopshtit nuk ishte i mundur, përmes këtij programi iu dha mbështetja e nevojshme prindërve dhe fëmijëve që synonin forcimin e aftësive prindërore.

Ivana Cekoviq, Zyrtare e UNICEF-it për Arsim

Programi i UNICEF-it "Arsimi parashkollor për fëmijët Romë dhe Egjiptianë: Rritja e ndërgjegjësimit të prindërve Romë dhe Egjiptianë mbi rëndësinë e arsimit parashkollor", mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), po zbatohet në Herceg Novi, Tivat, Podgoricë, Nikshiq dhe Berane , dhe ka përfshirë 150 prindër Romë dhe Egjiptianë gjatë vitit aktual.