Shtesa e parë për fëmijët - gëzim për më të vegjlit

Prindërit e fëmijëve parashkollorë shprehen të kënaqur me vendimin e qeverisë për të mbështetur investimet në zhvillimin në fëmijërinë e hershme

UNICEF Mali i Zi
Radost za najmlađe
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2010
14 Mars 2022

PODGORICË, ROZHAJË, 14 mars 2022 – Larisa Cigulin është nënë e katër fëmijëve. Në mesin e nëntorit 2021, më i vogli prej tyre, 5-vjeçari Karim, u gëzua nga lajmi se kishte marrë shtesën e parë të fëmijëve. Karim është një nga rreth 36.000 fëmijët nën moshën 6 vjeç që kanë të drejtë për këtë ndihmë financiare mujore. Në vitin 2021, Qeveria e Malit të Zi vendosi të ndajë pothuajse 18 milionë euro për të ulur varfërinë e më të vegjëlve dhe për të investuar në zhvillimin e hershëm të tyre dhe nga tetori i këtij viti planifikohet të ofrohen mjetet që të gjithë fëmijët të jenë përfitues të shtesave të fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare.

“Fëmijët më në fund kanë marrë një ndihmë financiare. Edhe pse nuk është një shumë e madhe, megjithatë është e mirëseardhur dhe do të thotë shumë për prindërit, sepse vazhdimisht kemi disa shpenzime”.

Larisa Ciguljin, nënë e katër fëmijëve
Larisa Ciguljin
UNICEF Mali i Zi/2021/Duško Miljanić
Larisa Ciguljin, nënë e katër fëmijëve

Djali i saj mori rreth 30 euro dhe prindërit i dhanë lirinë për të vendosur se si t'i shpenzojë ato.

“Karim vendosi të blinte këpucë dimri dhe ta qeraste familjen me nga një pije të nxehtë dhe të festonte në këtë mënyrë shtesën e tij të parë të fëmijëve”, thotë Larisa.

Megjithatë, ajo beson se shuma e shtesës së fëmijëve nuk është e mjaftueshme për t'ua mundësuar prindërve të kursejnë para për të ardhmen e fëmijëve apo të investojnë në arsimimin e tyre: “Në të ardhmen do t'i përdorim paratë për të paguar kopshtin e Karimit, në mënyrë që ai të përfitojë drejtpërdrejt nga shtesa e fëmijëve”, shpjegon Larisa, duke shtuar se shpreson që në të ardhmen edhe fëmijët e moshës shkollore të përfitojnë shtesa për fëmijët.

Përveç dhënies së shtesës për të gjithë fëmijët deri në moshën 6-vjeçare, qeveria ka vendosur ta rrisë masën e shtesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët nga familjet strehuese dhe përfituesit e mbështetjes financiare. Gjithashtu, është rritur numri i fëmijëve në familje që kanë të drejtën e shtesave për fëmijë. Më herët, ky numër kufizohej në tre fëmijë, ndërsa tani të drejtën e shtesës mund ta ushtrojnë deri në pesë fëmijë nga e njëjta familje.

Zana Korac, nënë e dy fëmijëve parashkollorë, beson se çdo ndihmë shtetërore është stimuluese dhe një formë e veprimit afirmativ.

Žana Korać
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
Zana Korac, nënë e dy fëmijëve parashkollorë

“Si fëmijë, të gjithë e dinim se në cilën ditë do të paguhej shtesa për fëmijë dhe më pas prisnim me entuziazëm postierin, ndaj besoj se e njëjta situatë do të jetë edhe tash. Ndërhyrje të tilla shtetërore janë të rëndësishme si nga aspekti socio-ekonomik ashtu edhe nga ai psikologjik”. 

Zana Korac, nënë e dy fëmijëve parashkollorë

Sipas saj, shtesa për fëmijë do të jetë shumë e rëndësishme sidomos për familjet në të cilat prindërit janë të papunë, sepse ato para do t'ua mundësojnë të paguajnë kopshtin për fëmijët parashkollorë, ose pelenat dhe ushqimin për fëmijët më të vegjël.

Sipas gjetjeve të Analizës Shumëdimensionale të Varfërisë së Fëmijëve në Mal të Zi, e cila, me mbështetjen e UNICEF-it, u prezantua në shkurt të vitit 2021, fëmijët parashkollorë janë grupmosha më e cenueshme në vend.

Danilo Smolovic, Koordinator i Politikave Sociale të UNICEF-it në Mal të Zi, rikujton se çdo i treti fëmijë në Mal të Zi është në rrezik të varfërisë dhe se kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ka shumë të ngjarë ta ketë rritur këtë numër.

Prandaj, ai beson se shtesa për fëmijë, si mbështetje financiare për familjet, do të kontribuojë deri diku në stabilitetin e të ardhurave minimale të garantuara të familjeve me fëmijë, që është veçanërisht e rëndësishme në situata krize.

“Tani ka më shumë familje në sistemin e mbrojtjes sociale, kështu që ato mund të marrin informacione dhe të kenë qasje jo vetëm në mbështetje financiare, por edhe në shërbime të ndryshme mbështetëse të familjes.”

Danilo Smolovic, Koordinator i Politikave Sociale të UNICEF-it në Mal të Zi
Danilo Smolović
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
Danilo Smolovic, Koordinator i Politikave Sociale të UNICEF-it në Mal të Zi

Smolovic thekson se mbështetja duhet të vazhdojë për të lidhur më mirë përfitimet në para dhe shërbimet cilësore, pasi varfëria nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e parave.

Futja e shtesave për fëmijë për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç do të reduktonte shkallën e varfërisë së fëmijëve në nën 30% – përqindja më e ulët që nga viti 2013. Ky përfundim vjen nga një analizë e Universitetit të Mastrihtit, i cili, me mbështetjen e UNICEF-it, UNDP-së dhe Ministrisë së Financave dhe Mirëqenies Sociale, përdori të dhënat e MONSTAT për të simuluar ndikimin e reformave të mundshme të politikave publike mbi varfërinë e fëmijëve në Mal të Zi. Simulimet u kryen si pjesë e projektit të përbashkët të OKB-së “Aktivizo”.

UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në trajtimin e kësaj sfide kombëtare. Përveç mbështetjes financiare, kjo kërkon një qasje shumëdimensionale, e cila analizon dhe trajton mënyrat se si varfëria ndikon negativisht në shëndetin, arsimin, sigurinë dhe zhvillimin e fëmijëve dhe zhvillimin e vendit në të ardhmen.