Dhënia fund varfërisë fillon me investimin tek fëmijët

Të paktën një në çdo tre fëmijë në Mal të Zi është në rrezik nga varfëria. Padyshim kriza e shkaktuar nga COVID-19 e ka rritur këtë numër.

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi
Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2020
09 Nëntor 2021

Të paktën një në çdo tre fëmijë në Mal të Zi është në rrezik nga varfëria. Padyshim kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka rritur këtë numër.

Nëse fëmijëve nuk u jepet mundësia të zhvillohen në potencialin e tyre të plotë, vetë Mali i Zi do të vuajë në tërësi. Fëmijët e Malit të Zi janë kapitali njerëzor i së nesërmes, prandaj privimi i tyre përcaktojnë kufizimet e zhvillimit të mbarë vendit. Mos lënia e asnjë fëmijë mbrapa është e vetmja mënyrë për të siguruar që Mali i Zi të zgjerojë mundësitë dhe liritë e të gjithë qytetarëve të tij. Është gjithashtu e vetmja mënyrë që Mali i Zi të përshpejtojë përparimin e tij drejt anëtarësimit në BE.

Raporti i UNICEF-it "Varfëria shumëdimensionale tek fëmijët në Mal të Zi" tregon se fëmijët e vegjël deri në moshën pesë vjeç janë grupmosha më e pafavorizuar në Mal të Zi. Më shumë se një në çdo pesë fëmijë nuk janë të regjistruar në parashkollor. Të paktën tre nga pesë prej tyre nuk janë të imunizuar me kohë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës dhe më shumë se tre në pesë përjetojnë një formë disipline të dhunshme në shtëpinë e tyre.

Brezat e rinj trashëgojnë varfërinë nga paraardhësit e tyre për shkak të mungesës së kapitalit social, kulturor dhe financiar. Pa qasje në burime dhe shërbime të cilat do t'u mundësonin atyre të përvetësojnë njohuri dhe shkathtësi, dhe që do t’u krijonin atyre mundësi që përfundimisht të largohen nga një jetë e privuar, varfëria do të mbetet një realitet për familjet nga brezi në brez. Ky fenomen është një pengesë zhvillimi për çdo vend.

Si mund ta thyejmë rrethin vicioz të varfërisë ndër breza? Praktika më e mirë ndërkombëtare na tregon se ekzistojnë tre parime kryesore të suksesit.

Së pari, investimi në vitet e hershme të fëmijëve është vendimtar. Hulumtimet në mbarë botën tregojnë se investimi tek fëmijët e vegjël është një nga investimet më të mirëfillta ekonomike për rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë.

Së dyti, ne duhet të përfshijmë të gjithë, veçanërisht ata më të privuarit, në hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave për t'i nxjerrë ata nga varfëria. Kontributi i drejtpërdrejtë i fëmijëve dhe prindërve është thelbësor, pasi ata i kuptojnë më së miri problemet me të cilat përballen dhe mënyrat më efektive për t'i trajtuar ato.

Së treti, politikat e reduktimit të varfërisë duhet të bazohen në prova të forta, të mbështetura nga analiza rigoroze të metodave të ndryshme të disponueshme për të luftuar varfërinë dhe pasojat e saj. Përpjekjet për të matur dhe trajtuar varfërinë e fëmijëve janë mbështetur tradicionalisht në një qasje njëdimensionale të bazuar vetëm në të ardhurat e ekonomisë familjare. UNICEF-i aplikon një qasje shumëdimensionale që hulumton mënyrat komplekse në të cilat fëmijët përjetojnë varfërinë dhe ndikimin e saj në shëndet, arsim, siguri dhe zhvillim të ardhshëm njerëzor të tyre.

Një themel i fortë i bazuar në dëshmi fuqizon qeveritë të përzgjedhin opsionet e politikave që janë në kuadër të buxhetit dhe të cilat janë të përballueshme në afat të gjatë. Për shembull, vendimi i fundit i Parlamentit të Malit të Zi për të prezantuar tekste shkollore falas për nxënësit e shkollave fillore dhe shtesa fëmijërore universale për fëmijët  deri në gjashtë vjeç ishte një hap në drejtimin e duhur. Në bazë të informacioneve nga analiza solide të sistemit të mbrojtjes sociale, këto politika do t'u ofrojnë familjeve parashikueshmëri afatgjatë.

Në Mal të Zi, UNICEF-i ka mbështetur një analizë dyvjeçare të sistemit të mbrojtjes sociale të vendit nëpërmjet përdorimit të instrumentit kryesor diagnostikues (CODI) të pranuar ndërkombëtarisht, të zhvilluar nga ekipi i Vlerësimit të Mbrojtjes Sociale ndërmjet agjencive. Hulumtimi identifikoi një sërë opsionesh për reformën sistematike të mbrojtjes sociale. Këto do të studiohen më në thellësi gjatë muajve të ardhshëm nëpërmjet një analize kosto-përfitim dhe në konsultim me familjet dhe palët e tjera të interesit.

Analiza shumëdimensionale e UNICEF-it për varfërinë e fëmijëve konfirmon se vitet e hershme të fëmijërisë përfaqësojnë një dritare vendimtare të mundësive për investime që është veçanërisht transformuese kur plotësohet nga qasja në shërbime sociale cilësore për shëndetin, arsimin dhe mbrojtjen nga dhuna dhe eksploatimi. Për të siguruar që çdo fëmijë të ndihet i përgatitur për moshën madhore, të gjithë ata duhet të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të rëndësishme për epokën digjitale dhe të kenë qasje në sport dhe kulturë.

Laureati i çmimit Nobel për ekonomi në vitin 1998, Amartya Sen, në mënyrë të shkëlqyeshme tha se ndikimi i rritjes ekonomike varet nga mënyra se si përdoren frytet e saj. Pavarësisht se dhënien fund varfërisë së fëmijëve e pranojnë si prioritet, qeveritë ndonjëherë shtyjnë investime të konsiderueshme për uljen e varfërisë në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale derisa vendi të bëhet më i pasur. Megjithatë, këto janë pikërisht ato lloj investimesh që janë parakushte për rritje të qëndrueshme dhe të barabartë ekonomike që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve.

Dhënia fund varfërisë së fëmijëve do të rezultojë në përfitime ekonomike afatgjata. Prandaj, këto investime duhet të kenë prioritet dhe të konsiderohen të përballueshme për buxhetet e qeverive në çdo kohë, por edhe si metoda për zgjerimin e mundësive, rritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE dhe për të mbështetur ekonominë e së ardhmes.