Shoqëri pa dhunë për çdo fëmijë

Me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të zhvillojë një Strategji Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna për periudhën e ardhshme pesëvjeçare

16 Dhjetor 2022
Nasilje, ilustracija
UNICEF Mali i Zi/Dusko Miljanic/2017

PODGORICË, 16 dhjetor 2022 – Në Mal të Zi, më shumë se tre në çdo pesë fëmijë të vegjël përjetojnë një formë të disiplinës së dhunshme në shtëpinë e tyre. Dhuna online dhe offline mes moshatareve është sfidë shtesë, si dhe nevoja për një mbështetje më të mirë të shëndetit mendor për të parandaluar vetëvrasjet e adoleshentëve, një nga pesë shkaqet kryesore të vdekjes së të rinjve të moshës 10–19 vjeç globalisht. Bashkëpunimi i dobët ndërsektorial dhe nënraportimi i rasteve të dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit çon në prevalencë të lartë, si dhe në tolerancë të gjerë shoqërore ndaj dhunës ndaj fëmijëve në Mal të Zi. Për këto arsye, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me mbështetjen teknike të UNICEF-it dhe mbështetjen financiare të BE-së, do të punojë në zhvillimin e një Strategjie Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna për periudhën e ardhshme pesëvjeçare.

“Dhuna është sot, për fat të keq, një fenomen gjithnjë e më i përhapur, nga dhuna në familje, përmes dhunës në rrugë dhe në shkolla, deri te dhuna ndaj njerëzve që janë të ndryshëm në një farë mënyre. Kur fëmijët jetojnë të rrethuar nga dhuna në familje ose janë viktima të saj, ata janë të ekspozuar ndaj traumës që përfundimisht do të zhvillohet në një mbresë të përhershme, me të cilën do të duhet të luftojnë për pjesën tjetër të jetës së tyre. Qëllimi ynë është të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për çdo fëmijë, në të cilin fëmijët mund të rriten të lumtur dhe të zhvillojnë kapacitetet e tyre. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të investojë në zhvillimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të ardhshme të profesionistëve që punojnë me fëmijët viktima dhe dëshmitarë të dhunës. Gjithashtu, çështja e dhunës nuk është problem i individëve, por i shoqërisë në tërësi dhe synimi ynë është të përmirësojmë sistemin e mbështetjes për viktimat e dhunës. Investimi në zhvillimin e fëmijëve dhe sigurimi i një edukimi të sigurt dhe pa shqetësime do të mbetet prioritet i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sepse fëmijët janë e ardhmja e shoqërisë sonë”, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Admir Adrovic.

UNICEF-i ju përkujton se parandalimi dhe mbrojtja e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, përfshirë dhunën online, është përgjegjësi e të gjithëve. Është llogaridhënie shumësektoriale që përfshin sistemin arsimor, mirëqenien sociale, shëndetësinë, gjyqësorin, policinë, sektorin privat, median, prindërit dhe komunitetet lokale.

“Fëmijët mësojnë atë që shohin dhe jetojnë çdo ditë. Nëse përjetojnë dhunë në shtëpi, në shkollë dhe në komunitetin e tyre lokal dhe nëse janë dëshmitarë të urrejtjes dhe fjalëve fyese përmes mediave, ata rriten të rrethuar nga mungesa e respektit dhe dialogut. Si të rritur, ne jemi përgjegjës për vendosjen e modeleve të mira çdo ditë dhe në të gjitha mjediset – shtëpi, shkolla, komunitete lokale, politikë, sport, media, kulturë, etj. Ne të gjithë jemi përgjegjës për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të respektueshme për çdo fëmijë çdo ditë,” tha Juan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi.

UNICEF po bën thirrje për rritje të numrit të shërbimeve për mbështetjen e fëmijëve dhe familjes, në numrin e profesionistëve në qendrat për punë sociale, si dhe të psikologëve dhe psikiatërve të fëmijëve në të gjithë vendin. UNICEF po bën thirrje gjithashtu për më shumë mundësi për çdo fëmijë dhe prind për të forcuar aftësitë e tyre socio-emocionale për zgjidhjen e konflikteve pa dhunë. Strategjia e re kombëtare është një mundësi për të adresuar këto çështje. Që kjo të ndodhë, duhet të sigurohet financimi adekuat afatgjatë i të gjitha aktiviteteve dhe shërbimeve që do të jenë pjesë e strategjisë së re. Kjo strategji duhet të bazohet dhe të monitorohet sipas të dhënave për natyrën dhe shtrirjen e dhunës ndaj fëmijëve në Mal të Zi. Për këtë arsye, UNICEF-i po bën thirrje për përpjekje shtesë të institucioneve të ndryshme për të forcuar mbledhjen e të dhënave për këtë çështje.

Zhvillimi i një strategjie kombëtare për të luftuar dhunën ndaj fëmijëve është gjithashtu i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit në BE. Raportet e fundit të BE-së identifikuan dhunën ndaj fëmijëve si çështje shqetësuese serioze në vend.

“BE-ja ka ndjekur zbatimin e Strategjisë aktuale kombëtare dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me Strategjinë e re, duke mbështetur institucionet përkatëse. Të gjitha përpjekjet e shoqërisë duhet të përqendrohen në respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna. Ky është një imperativ moral dhe investim për të ardhmen e vendit”, tha ambasadorja e BE-së në Mal të Zi, Oana Cristina Popa.

Strategjia e re kombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve do të zhvillohet në konsultim me të gjitha institucionet përkatëse si Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Do të zhvillohet dhe zbatohet në konsultim me OSHC-të, Zyrën e Avokatit të Popullit, fëmijët, adoleshentët dhe prindërit.

Kjo Strategji, si dhe aktivitete të shumta që synojnë forcimin e sistemit për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, do të zbatohen si pjesë e një projekti të financuar nga BE-ja, që zgjat 18 muaj.

 

Kontakte me mediat

Jelena Perović
Communication Officer
UNICEF Montenegro
Tel: +382 69 225 315

Shoqëri pa dhunë për çdo fëmijë