Juan Santander, përfaqësues i ri i UNICEF-it në Mal të Zi

Pas shumë vitesh përvoje ndërkombëtare me UNICEF-in në Irak, Jemen, Liban, Venezuelë dhe Tajlandë, Santander po e mirëpret punën me partnerët e UNICEF-it në Mal të Zi

UNICEF Mal i Zi
Huan Santander, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të  Zi
UNICEF Mal i Zi / Duško Miljanić / 2020
16 Qershor 2020

PODGORICË, 16 QERSHOR 2020 – Juan Santander, shtetas spanjoll dhe argjentinas, fillon sot punën e re si përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.

Pas shumë vitesh përvoje ndërkombëtare me UNICEF-in në Irak, Jemen, Liban, Venezuelë dhe Tajlandë, Santander po e mirëpret punën me partnerët e UNICEF-it në Mal të Zi.

UNICEF-i do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e një shoqërie që siguron të drejta dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë në Mal të Zi.

Juan Santander, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Pas konsultave me Qeverinë e Malit të Zi, Santander u emërua si Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi nga Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore. Para angazhimit të tij në Malin e Zi, Santander shërbeu si Zëvendëspërfaqësues i UNICEF-it në Tajlandë dhe Venezuelë. Para kësaj, ai punoi si Shef i Politikës Sociale, Planifikimit, Monitorimit dhe Vlerësimit në Liban, Shef i Planifikimit, Monitorimit dhe Vlerësimit në Jemen dhe Specialist i Menaxhimit të Njohurive në Irak. Para se t’i bashkohej UNICEF-it, Santander punoi për Misionin e Ndihmës të Kombeve të Bashkuara në Irak dhe për UNDP-në në Irak.

Santander ka kryer studimet Master në Studime Globale në Universitetin Albert Ludwig, njëri nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze të arsimit të lartë në Gjermani dhe Evropë Perëndimore. Ai flet rrjedhshëm anglisht, spanjisht dhe frëngjisht.

Santander është përfaqësuesi i katërt i UNICEF-it në Malin e Zi që kur vendi fitoi pavarësinë e tij në vitin 2006. Gjatë mandatit të paraardhësve të tij – Osama Khogali, Benjamin Perks dhe Nola Skinner – UNICEF-i e mbështeti Malin e Zi për të bërë përparim të dukshëm në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të fëmijëve pa kujdes prindëror, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, rritjen e përfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor, përmirësimin e cilësisë së arsimit formal dhe joformal, shkrim-leximin mediatik, dhe pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri, etj.